Sëmundjet e zemrës janë ndër shkaktarët kryesore të vdekjeve të parakohshme në Shqipëri. Që nga viti 1990, niveli i prevalencës së vdekjeve gna sëmundjet kardiovaskulare ka ardhur në rritje. Në atë periudhë, vdekjet nga kjo diagnozë arrinin në 125 persona për 100,000 banorë, thonë të dhënat e revistës Monitor.
Ndërkohë, të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se në vitin 2015, numri i vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare ishte 11,500 vetë ndërkohë që në vitin 2016, ky numër ra në 11,000. Instituti i Shëndetit Publik shpjegon se pranë mjekëve të familjes në Shqipëri janë të regjistruar rreth 80 000 persona me sëmundje të zemrës.
Ndërkohë në harkun kohor të 15 viteve operacionet by-pass për rivendosjen e qarkullimit të gjakut në muskulin e zemrës në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza në janë dhjetëfishuar. Në vitin 2000, numri i tyre ishte 30 ndërsa sot është pothuajse 300 në vit, thotë ISHP.
Faktorët E Rrezikut Të Sëmundjeve Të Zemrës
Faktorët e rrezikut për sëmundjet e zemrës janë të shumtë. Këtu përfshihet: tensioni i lartë i zemrës, kolesteroli i lartë, diabeti, duhanpirja, mbipesha, mungesa e aktivitetit fizik, regjimi jo i shëndetshëm ushqimor dhe mosha. Një prej faktorëve që nuk duhet neglizhuar në diagnostikimin e sëmundjeve të zemrës është trashëgimia familjare. Ky faktor rreziku nuk mund të ndryshohet, thonë ekspertët. Sipas tyre, nëse një person ka një të afërm të afërt që ka vuajtur nga sëmundjet e zemrës përpara moshës 55 vjeçare, atëherë rreziku i prekjes nga kjo sëmundje është i lartë.
Si Mund Të Mbroni Zemrën Pavarësisht Sëmundjeve Të Trashëgueshme
Njeriu mund të përmirësojë gjasat e shpëtimit nga sëmundja e zemrës duke marrë shumë masa. Megjithatë, prindërit dhe të afërmit nuk ndryshohen. Sigurisht që genet luajnë një rol të rëndësishëm në shfaqjen e sëmundjes, por njeriu mund të marrë disa masa për të zbutur ndikimin e aspektit genetik. Hapi i parë dhe më i rëndësishëm është pasja e një stili të shëndetshëm jetese.
Njerëzit që janë të predispozuar të preken nga këto sëmundje, duhet të tregojnë kujdes me peshën. Ata duhet të kryejnë aktivitet fizik, të shmangin sheqernat dhe të mos pinë duhan. Për më tepër ata duhet të mbajnë nën kontroll nivelet e kolesterolit dhe tensionit të gjakut. Parandalimi është çelësi i mbrojtjes së shëndetit nga sëmundjet.