Friday, November 1, 2024
spot_img

Latest Posts

Gjashtë kushtet për Asociacionin hyjnë në agjendë, Perëndimi ende s’deklarohet për to

Gjashtë kushtet e Kurtit kanë hyrë në agjendat e diskutimeve me diplomatët perëndimorë. BE-ja e ka një qëndrim për to, por Lajcak s’do që ta zbulojë. Amerikanët që sot ishin pjesë e diskutimeve qëndrojnë prapa atyre që tashmë i kanë thënë për Asociacionin, ndërsa Mbretëria e Bashkuar rithekson se nuk është për një Asociacion njëetnik.

Javën e kaluar, Kryeministri Albin Kurti i ka zbuluar gjashtë kushtet e tij për pranimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Prezantimin e tyre e bëri në Kuvend. 

Me të nisur java e re, Kryeministri Kurti është angazhuar për t’i përfshirë ato në agjendat e diskutimeve me përfaqësuesit ndërkombëtarë.

Miroslav Lajcak, i angazhuar nga Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, tha se foli sot me Kurtin edhe për kushtet e tij, në një drekë pune që e patën në Prishtinë. Aty ishte edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier. 

BE-ja e ka një qëndrim për konditat që Kurti ia ka vënë atyre që i kërkojnë formimin e Asociacionit, por Lajcak deshi të mos e bëjë publik. Megjithatë, atë qëndrim ia ka kumtuar sot Kurtit. 

“Kemi folur për këtë çështje [6 kushtet e Kurtit] dhe e informova kryeministrin rreth pozicionit tonë por s’dua ta bëjë publike analizën legale, ishte e dobishme që e diskutuam këtë”, tha Lajcak.

Menjëherë pas kësaj, Emisari i BE-së përsëriti se duhet zbatuar gjithçka për të cilën Kosova e Serbia janë dakorduar në Dialog. Sipas tij, kjo është mënyra se si “do të ndërtohet normalizimi”.  

Para se të fliste me Lajcakun për kushtet e tij, Kryeministri i ka mbledhur të gjithë diplomatët e huaj, të angazhuar në Prishtinë. 

Zyra e Kryeministrit njoftoi se aty Kurti i njoftoi ambasadorët me gjashtë pikat për Asociacionin, që, në fakt, Kryeministria vendosi të mos e përmend me këtë term, duke iu referuar si “marrëveshje e Brukselit të vitit 2013”. 

Janë përfaqësuesit diplomatikë të Perëndimit, të cilët po ia kërkojnë Kurtit Asociacionin, më shumë se kurdoherë tjetër prej nënshkrimit të marrëveshjes për themelimin e tij 10 vjet më parë. 

Përmes një interviste në agjencinë ndërkombëtare të lajmeve “The Associated Press”, Kurti të dielën u ka kërkuar fuqive perëndimorë të mos i bëjnë presion për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. 

Por, nuk dihet nëse ato do ta marrin parasysh kërkesën e Kurtit për të mos i bërë presion dhe kërkesat e tij në këmbim të pranimit të Asociacionit. 

Ambasada amerikane nuk ka dashur t’i komentojë kushtet e Kurtit, duke mbajtur qëndrimin e njëjtë rreth Asociacionit, sikurse i ka dhënë ambasadori Jeff Hovenier pas diskutimeve të 31 janarit. 

Një nga kushtet e Kryeministrit është që Asociacioni të mos jetë njëetnik. Kurti e përsërit këtë, ndonëse përkrahësit e themelimit të tij thonë se nuk do të jetë i tillë.

Mbretëria e Bashkuar , që nuk është përfshirë direkt në rrethin e ngushtë të shteteve që e kanë marrë përsipër normalizimin e raporteve Kosovës me Serbinë, megjithatë ka qëndrim për Asociacionin. 

Ambasada britanike në Prishtinë nuk i ka komentuar kushtet e Kurtit specifikisht, por ka rikthesuar qëndrimin e dhënë nga Ministri britanik për Evropën, Leo Docherty, javën e kaluar, se nuk përkrahin entitet njëetnik.   

Kjo temë u ngrit në Parlamentin britanik javën që shkoi ndërsa me pozicionin kundër një enklave një etnike në Ballkan Emisari, Stewart Peach, shkoi në Bruksel për takim me Lajcakun. 

Kushtet e Kurtit për ta pranuar Asociacionin 

Duke kryesuar korin e Lëvizjes Vetvënedosje se ‘Zajednica’ nuk bëhet, Kurti ia ka prezantuar deputetëve në Kuvend gjashtë pikat e tij për pranimin e Asociaconit. 

Kushti i parë i tij është që Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

Kushti i dytë i Kurtit është që Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale. 

I treti është që “Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit  ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane”. 

Kushti numër katër i Kryeministrit është që “Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”.

I pesti; Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës. 

Dhe kushti i fundit është që “Presidenti i Serbisë t’i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013”.

Latest Posts

spot_imgspot_img

Don't Miss

Stay in touch

To be updated with all the latest news, offers and special announcements.