Gjatë mbrëmjes të së martës, si pasojë e një aksidenti të një autobusi në Krushevc të Serbisë u lënduan 16 udhëtarë. Kështu bën të ditur Ministria e Jashtme dhe Diasporës përmes një postimi ne rrjetin social Facebook.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), njofton opinion publik se qytetarët e aksidentuar në mbrëmjen e së martës në Krushevc të Serbisë, të cilët po udhëtonin transit me autobusë drejt Sllovenisë, kanë vazhduar udhëtimin e tyre pas marrjes së trajtimit mjekësor me përjashtim të një udhëtareje, e cila me vetëdëshirë është në pritje të transportit privat”.
“MPJD-ja me të pranuar informacionin, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd ka komunikuar me autoritetet për ngjarjen dhe për të lënduarit dhe zyrtarët nga Zyra jonë Ndërlidhëse kanë dalë në vendin e ngjarjes”.
Në funksion të ofrimit të asistencës dhe përkujdesjes institucionale, zyrtarët tanë i kanë vizituar të lënduarit edhe në Qendrën Spitalore”.
“Nga komunikimi me Qendrën Spitalore ku ishte ofruar ndihma e parë, si dhe nga vizitat dhe bashkëbisedimi me të lënduar, në autobus me rastin e aksidentit kanë qenë 78 udhëtarë dhe prej tyre 16 kanë pranuar trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve. MPJD-ja falënderon autoritetet në vendin e ngjarjes për asistencën dhe trajtimin mjekësorë të të lënduarve”.