Leonard S. nuk ishte as në shtëpi kur u vendos për të që të dëbohej për në Kosovë. 21-vjeçari, ka lindur në Gjermani, ka qëndruar në Bremerhaven, ku punon dhe jeton. Sipas avokatit të tij nga Bremeni, Jan Sürig, në një deklaratë për shtyp, në orën 1 të natës të së enjtes, një grup prej dhjetë personash punonjësish të autoriteteve të emigracionit dhe oficerëve të policisë hynë në shtëpinë e nënës së tij në Emsland dhe e kontrolluan për ta dëbuar.
Autoritetet gjermane të imigracionit ka kohë që përpiqen rregullisht të dëbojnë njerëz, përfshirë ata që nuk kanë jetuar kurrë në një vend tjetër, njerëz që kanë miq dhe punë këtu. Është e zakonshme që gjatë natës ose herët në mëngjes të veprojnë, e në shumë raste ata ia dalin me sukses, me pasoja të rënda për të prekurit, raporton taz.
Të nesërmen, Leonard S. Tregoi në telefon se si vëllai i tij 16-vjeçar e telefonoi menjëherë për t’i thënë se policia ishte në shtëpi. “Duhet të ketë qenë si në film,” thotë Leonard S., i shqetësuar me zë të lartë, “sikur të kishte jetuar një kriminel atje.” Familja e tij kishte qëndruar zgjuar gjithë natën, “ata janë të gjithë në shok”, vazhdon ai.
U zgjuan kujtimet për kohën para shtatë viteve kur nëna dhe pesë fëmijët e tij do të deportoheshin në Kosovë. Në atë kohë, avokati Sürig arriti të detyronte gjykatën administrative të Osnabrück-ut të detyronte distriktin t’i zgjaste lejen e qëndrimit familjes. Leonard S. po ashtu thotë se nuk ka as familje në Kosovë dhe as nuk e di se kush mund ta ndihmojë atje (në Kosovë).