Saturday, November 23, 2024
spot_img

Latest Posts

Fjalimi “më i rëndësishëm” i Vuçiç-it përfundon në një tjetër ligjëratë vajtuese

Çfarë është paralajmëruar prej ditësh si “fjalimi më i rëndësishëm i Aleksandër Vuçiç” ka rezultuar me një tjetër paraqitje vajtuese të presidentit të Serbisë, i cili në stilin dhe retorikën e tij të zakonshme ka ligjëruar para kamerave se si serbët në Kosovë po persekutohen dhe se qëllimi i Qeverisë së Kosovës është “t’i dëbojë serbët”, porse ai nuk do ta lejojë.

“Prishtina”, tha ai, duke nënkuptuar Qeveria e Kosovës, “ka dy qëllime”.

“Shfuqizimin e shtetit serb në Kosovë dhe dëbimin e serbëve”.

Si provë për këtë, Vuçiç paraqiti faktin se ka dhënë dy propozime si të zgjidhet problemi me targat dhe letrën e bardhë për hyrje/daljet e shtetasve serbë në Kosovë, porse pala kosovare ka refuzuar të dyja kategorikisht.

“Beogradi propozoi targa KS që janë status neutrale, por Kurti tha se ‘të gjithë duhet të kenë targa RKS’. Çështja e gjithçkaje është se çfarëdo që ne pranojmë apo nuk pranojmë, ata refuzojnë gjithçka”, deklaroi presidenti serb.

Pjesë e konsiderueshme e fjalimit të tij ishte për “rrezikun që u kanoset serbëve në Kosovë”.

“Serbët janë të persekutuar në mbarë Kosovën, jo vetëm në veri”, pohoi ai. “Tani ata janë veçanërisht të vendosur që serbët t’i dëbojnë nga Kosova si kocka e fundit në fyt”.

Por, pas konstatimit të gjendjes, tha mesazhin për serbët e Kosovës.

“Mesazhi kryesor për serbët në Kosovë është se, sido që të jetë, nuk do të ketë kolona refugjatësh. Ne nuk kemi ku të shkojmë, jemi në qoshe. Por, ne do ta shpëtojmë popullin tonë nga persekutimi dhe masakrat, nëse NATO nuk do dhe nuk e bën”, tha Vuçiç.

“Nuk kemi ku të shkojmë tjetër, do ta shpëtojmë popullin nga pogromet dhe persekutimet”.

Gjatë fjalimit të tij, në disa raste, Vuçiç herë drejtpërdrejtë e herë si nëntekst, provoi të thoshte se Qeveria e Kosovës veprimet i bën me miratimin e komuniteti ndërkombëtar – QUINT’it.

Prandaj, në një moment, tha se “kërkoj nga NATO që të bëjë punën e vet”.

“Të sigurojë paqen për serbët në veri, në mënyrë që ata të mos kërcënohen nga policia shqiptare”.

“Është në dorën tuaj që të siguroheni që banda të mos kalojë Ibrin. Për ju barrikadat janë problem, e jo ​​vendimet kriminale?”, pohoi në formë të pyetjes Vuçiç.

Sa për ngërçin që ende vazhdon me targat e dokumentin e hyrje/daljeve, ai u zotua se po punon “furishëm” vetëm që “ta gjej një zgjidhje në 10 ditët e ardhshme”.

Tha edhe se serbët e Kosovës (Lista Serbe) ia ka lënë atij në dorë ta zgjidhë çështjen, “por, edhe na kanë caktuar vija të kuqe, për të cilat nuk do të flas tani”.

“Ata (përfaqësuesit e serbëve në Kosovë) kërkuan, por edhe morën garanci, se masakra dhe dëbimi i serbëve nuk do të ndodhte”.

Në fund të fjalimit të tij, ka treguar edhe se çfarë i kërkoi Albin Kurti në tryezën e bisedimeve në Bruksel, në prani të përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell dhe të delegauarit të dialogut për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Prishtina erdhi me idenë e diskutimit të një marrëveshjeje të përgjithshme prej gjashtë pikash”, tha Vuçiç, duke u lëshuar në pikat vec e veç dhe çfarë nënkuptojnë ato.

“Njohjen reciproke dhe hyrjen e Prishtinës në organizatat ndërkombëtare; zgjidhjen e problemeve nga e kaluara, konstatimin dhe zgjidhjen e problemeve të personave të zhdukur dhe të dhunuar, personave të zhvendosur, kthimin e artefakteve, kinse ua kemi vjedhur; financat, gjegjësisht kompensimet e luftës; bashkëpunimi në të ardhmen në marrëdhënie reciproke dhe të njëjtat të drejta të serbëve në Kosovë si shqiptarët në Bujanoc dhe Preshevë. Gjithashtu, rishqyrtim të marrëveshjeve të negociuara më parë”, përfundoi Vuçiç.

Latest Posts

spot_imgspot_img

Don't Miss

Stay in touch

To be updated with all the latest news, offers and special announcements.