Enkel Rexhepi merr detyrën si Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar: “Ky këshill është zëri i Luginës sonë”
Në një ceremoni të veçantë, Enkel Rexhepi mori sot detyrën si Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh), duke shprehur mirënjohjen dhe përkushtimin e tij për të udhëhequr këtë institucion drejt përparimit dhe bashkimit të shqiptarëve.
Në fjalën e tij të parë si kryetar, Rexhepi theksoi rëndësinë e këtij këshilli si një forum që mishëron zërin e Luginës së Preshevës dhe identitetin e përbashkët kombëtar të shqiptarëve. Ai nënvizoi vizionin e tij për të forcuar bashkëpunimin mes shqiptarëve në rajon dhe diasporë, si dhe për të mbrojtur të drejtat kombëtare dhe trashëgiminë kulturore.
“Ky këshill duhet të jetë jo vetëm një forum diskutimesh, por një motor ndryshimesh, një udhërrëfyes drejt unitetit dhe zhvillimit,” deklaroi Rexhepi, duke shtuar se do të punojë për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Luginë të Preshevës dhe diasporë.
Ai premtoi një angazhim të palëkundur për të mbrojtur interesat e shqiptarëve dhe për të vendosur interesin kombëtar mbi gjithçka tjetër. Rexhepi e cilësoi këtë moment si një përgjegjësi të madhe dhe një mundësi për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për brezat e ardhshëm.
“Shqiptarët kanë dëshmuar ndër shekuj se janë një komb i fuqishëm, një popull që i tejkalon vështirësitë duke u ngritur më i fortë. Tani është koha që të marrim fatin tonë në dorë,” theksoi ai, duke bërë thirrje për unitet dhe përparim.
Në përfundim, Rexhepi shprehu falënderimet e tij për besimin e dhënë dhe premtoi se do të udhëheqë me përkushtim për të sjellë më shumë Shqipëri dhe Kosovë në Luginën e Preshevës.
“Zoti e bekoftë Luginën e Preshevës! Zoti e bekoftë Kombin Shqiptar!” përfundoi ai.
Ky moment shënon një fillim të ri për Këshillin Kombëtar Shqiptar, me pritshmëri të mëdha për avancimin e të drejtave dhe mirëqenies së shqiptarëve në Luginë dhe më gjerë.