Bashkia e Tiranës ka vendosur që një segmet të një rruge ta emërtojë “Dëshmorët e 4 shkurtit”, 79 vjet pas kësaj masakre.
Mirëpo një gjë e tillë ka ngjallur kritika me arsyetimin se e kanë shkurtuar rrugën e cila mban emrin “Ibrahim Rugova”.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar duke thënë se i është hequr emri “Ibrahim Rugova” rrugës në kryeqytet, për t’u zëvendësuar me emrat e dëshmorëve të cilët PD-ja i konsideron si “dëshmorë të sajuar” të komunizmit, duke kthyer një debat të vjetër që ende nuk gjen zgjidhje në Shqipëri.
“Të heqësh Ibrahim Rugovën për ‘4 Shkurtin!’”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj në Facebook.
“Fatkeqësisht, lufta e klasave rikthyer në 2023 e copëtoi këtë rrugë duke sajuar një tjetër gjysma rrugë me emërtim të një date që nuk është se personifikon apo bashkon dhe aq shqiptarët e aq më pak qytetarët e Tiranës. Se si mund të ulësh përbri rrugës Ibrahim Rugova hallin elektoral të Erion Veliaj, që do të prodhojë dëshmorë, vështirë se mund të kuptohet. Lë pastaj të përziesh historinë dhe ta retushosh”.
Madje, ajo ka sugjeruar që të paktën të vendosen emrat e atyre që u vranë nga komunistët nga 16 tetori 1944 deri në 16 nëntor 1944
“Nëse kryebashkiaku Veliaj, që Tiranën e ka shpërfytyruar më shumë se sa kushdo, do të dëshironte realisht të emërtonte një rrugë me dëshmorë: le të vendosë emrat e atyre që u vranë nga komunistët nga 16 tetori 1944 deri në 16 nëntor 1944. Shumica e tyre ishin nacionalistë që u vranë pa gjyq sepse e donin Kosovën”.