Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj u shpreh i lumtur që është në Kosovë gjatë vizitës së parë të tij zyrtare.
Në një konferencë të përbashkët për media me presidenten, Vjosa Osmani, ai u shpreh se Shqipëria e mbështet plotësisht Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare si NATO dhe në Bashkimin Evropian.
“Jam shumë i lumtur për ftesën tuaj. Vij në shtëpi. Në shtëpinë e shqiptarisë. Aty ku shtëpia është e zotit dhe e mikut. Dy dialekte dhe një gjuhë. Dy republika dhe një komb. Kjo është harta jonë patriotike për rrugën drejt Brukselit. Së bashku fituam luftën dhe bashkë do të luftojmë për të ruajtur paqen. Shqipëria mbështet fuqimisht anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe vlerëson se NATO mbetet garant i paqes në rajon dhe aleat strategjik i Kosovës dhe Shqipërisë. Mbështesim anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizmat ndëkombëtarë dhe vlerësojmë se aplikimi për anëtarësim në KiE ishte vendim i duhur”, tha ai.
Tutje, Begaj foli edhe për mosliberalizimin e vizave për kosovarët për çka theksoi se është një vendim i vonuar.
“Liberalizmi i vizave është një premtim i vonuar dhe e drejtë që duhet ta gëzojnë si të gjithë qytetarë tjerë të rajonit për të cilin e sigurova Osmanin se Shqipëria do të vijojë mbështetjen e saj për përmbylljen me lajm pozitiv sa më shpejt”, shtoi ai.
Po ashtu, presidenti shqiptar deklaroi se e mbështet qëndrimin e institucioneve të Kosovës në vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe se marrëveshja finale duhet të ketë në qendër njohjen reciproke mes dy vendeve.
“Vlerësoj qëndrimin e Presidentes dhe Qeverisë së Kosovës në vazhdimin e dialogut me Serbinë si e vetmja mënyrë për tu bërë e qartë se realiteti i Kosovës është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm. Formula e zgjidhjes së dialogut Kosovë – Serbi e shprehur nga presidenti Biden si marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të narrëdhënieve e fokusuar në njohjen e reciproke, apo qëndrimi i rëpërsëritur i kancelarit gjerman se njohja e pavarësisë së Kosovës është kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE janë inkurajuese në përpjekjet tona që rezultati përfundimtar të jetë një marrëveshje e detyrueshme ligjore që përcakton qartësisht njohjen e ndërsjelltë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE si dhe trajtimin e drejtë të minoriteteve”, shtoi ai.