Tungjatjeta NDRYSHIM,
Muaji korrik dhe muaji dhjetor, për mërgimtarët janë muaj të pushimeve në vendlindje. Ata me shumë mall, presin për të ardhur e për t’u çmallur me familjarët e tyre. Një nga ata jam dhe unë Arben Mehmeti nga fshati Kurbali.
Në vitin 1993, së bashku me familjen time, u shpërngulëm në Preshevë. Aty u rrita dhe fillova shkollimin. Si një i ri nga Lugina e Preshevës vendosa të të shkruaj këtë letër të hapur, për t’ju shprehur disa nga shqetësimet e shumta që kam rreth gjendjes aktuale në komunën tonë.
Qyteti i Preshevës dhe banorët e saj, përballen me vështirësi nga më të ndryshmet e për shumë këto vështirësi, ke qenë avokat dhe ke premtuar se do t’i zgjidhësh.
Më lejoni, të dashur qytetarë, t’i përmendi disa probleme , ku unë si banor i Luginës e si mërgimtar, hasi në to sa herë që vij në vendlindje. Si p.sh. për të rregulluar një pasaportë , letërnjoftim apo ndonjë dokument, duhet të pres më orë të tëra, kështu që disa ditë të pushimeve i kalojmë, para stacionit të policisë në Preshevë.
Në vitin 2009, kur Serbisë iu dha e drejta për liberalizimin të vizave dhe kur në vitin 2019 Gjermania u dha të drejta që njerëzit nga vendet ballkanike të punojnë të lirë në Gjermani, me këto dy variante, Lugina e Preshevës po zbrazet, sidomos të rinjtë e saj, për një të ardhme më të mirë.
Mungesa e parkingjeve për automjete, ku në çdo trotuar sheh automjete të parkuara , kur të duhet 1 orë për të arritur në qendër të Preshevës, e ku semaforët e vendosur, si duket, veçse e komplikuan situatën.
Depoja e mbeturinave digjet çdo ditë, jo që nuk e rregullove depon por edhe e bëre më keq gjendjen aty.Qytetarët e mi, vuajnë nga çdo sëmundje e rëndë , mjekët punojnë në një shtëpi shëndeti, gjysmë të rrënuar, spitalin që e premtove nuk e ndërtove e as që u more me atë punë.
Fëmijët e mërgimtarëve dhe të qytetit tim, luajnë në një stadium katastrofë, fëmijët e qytetit tim mësojnë në një shkolle gjysmë të shkatërruar , kur të ulesh, thua se jemi në shekull XXI apo … jetojmë me një qytet, ku na udhëheq ndryshimi , ku na udhëheq një qeveri me njerëz jo adekuat.
Kjo më bëri që të lutem e të pyes veten: O Zot, pse kaq të rinj të shkolluar e të diplomuar punojnë në vende të huaja? Pse duke e pasur një rini të mirë dhe të shëndoshë, në vend që t’i shërbejnë atdheut tonë, vendit tonë, për një të ardhme më të mirë, ata punojnë në vende të huaja! Vallë, kush na mallkoi? Pse në vendin tim ndodhin këto gjëra?!
Ku janë premtimet…?!
Pse nuk hapni vende pune për këta të rinj, vende punë të cilat si një Mesia shpëtimtar, premtuat me të madhe në fushatë?
Ku është arsimi?
Ku është infrastruktura?
Ku është ekonomia?Ku i ke fabrikat që i premtove në fushata?
Ku është depolitizimi?
Ku është mungesa e nepotizmit?
Ku është transparenca në tenderë?
Ku është kufiri Miratovc – Llojan?
Po mendoj me vete që mund të vazhdoj gjatë me këso pyetje, por po e përmbyll me një të vetme e të fundit:
Ku është ndryshimi?
Punoi Arben Mehmeti