Me qindra qytetarë, familjarë, bashkëluftëtarë dhe përfaqësues nga Partia Demokratike e Kosovës, kanë marrë pjesë në varrimin e nënës së Kadri Veselit.
Në varrezat e fshatit Broboniq të Mitrovicës, pasditen e sotme është varrosur 93 vjeçarja, Ajshe Veseli.
Në ceremoninë e varrimit nuk ka marrë pjesë ish-kryetari i kuvendit, Kadri Veseli, i cili është duke u mbajtur në paraburgim në Hagë.
Për këtë familjarët kanë thënë se nuk janë të informuar nëse e kanë lajmëruar Kadri Veselin për vdekjen e nënës së tij.
Djali i axhës së Kadri Veselit, Hysniu ka thënë se Kadri Veseli po mbahet padrejtësisht në Hagë. Po ashtu, ai ka thënë se nuk janë në dijeni nëse Kadri Veseli është lajmëruar për vdekjen e nënës.
“Natyrisht se ju e dini që zotëri Veseli është në paraburgim dhe paraburgim nënkupton kufizim të lirisë, kështu që nuk kemi shumë informacion për këtë çështje”, ka thënë ai.
Në ceremeoninë e varrimit ka marrë pjesë edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Ai tha se Ajshe Veseli ishte grua e fortë e bujare.Sipas tij, ky varrim është edhe më i vështirë për shkak se Kadri Veseli, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë, nuk merr pjesë në lamtumirën e fundit.
“Ka qenë një grua e fortë, bujare, e cila ka reflektuar atë madhështinë të cilën jemi mësuar ta identifikojmë te nënat shqiptare.
Dhe sot ishim për të nderuar këtë nënë shqiptare për jetën e saj, por pa dyshim që në këtë moment edhe kjo humbje, vdekje dhe ky varrim bëhet më i vështirë për faktin që as këtë herë, siç ndodhi edhe para gjashtë muajve me babin e tij, nuk ishte me ne miku ynë, kryetari Kadri Veseli dhe vërtetë kjo e bën edhe më të dhimbshme këtë rast.
Gjithsesi ne besojmë që edhe kjo betejë e fundit e tepër e rëndësishme me të cilën po ballafaqohet ai dhe bashkëluftëtarët e tij është çmim i lartë por do të jetë beteja që do e vulos edhe një herë drejtësinë e luftës së UÇK-së”, ka deklaruar Krasniqi.