Ish-diplomati amerikan, William Walker, thotë se përpjekja e zyrtarëve në Serbi për ta prezantuar masakrën e Reçakut si një ngjarje të trilluar, bëhet për shkak se disa zyrtarë aktualë në Beograd kanë qenë të përfshirë në krime kundër popullatës civile në Kosovë.
Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, Walker thotë se masakra e Reçakut, në të cilën forcat serbe kanë vrarë 45 civilë shqiptarë në janar të vitit 1999, është një ngjarje që nuk mund ta mohojë e as modifikojë askush.
“Disa nga njerëzit që sot janë duke e propaganduar [masakrën e Reçakut] si ‘një gënjeshtër të madhe’, kanë qenë në fakt të përfshirë në fshehjen e saj që nga fillimi. Mendoj se presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, është shembull shumë i mirë. Ai ka qenë ministër i Informimit në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Ai ka qenë pjesëmarrës në vendimmarrjen e asaj kohe”, thotë Walker.
Ai e bën përgjegjës presidentin serb për “rol të rëndësishëm” në fshehjen e krimeve që forcat serbe të sigurisë kanë kryer ndaj popullatës civile në Reçak, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës.
“Ai [Aleksandar Vuçiq] ka qenë i përfshirë që nga fillimi në përpjekjen për të mbrojtur të pambrojturën, e që është fakti se forcat e sigurisë së Serbisë nuk kanë qenë të përfshira në vetëm atë që ka ndodhur në Reçak, por kanë qenë të përfshira në shumë masakra dhe krime kundër njerëzimit”, thotë Walker.
Asokohe, Walker ishte shef i një misioni vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Pas vizitës në vendin e masakrës, ai mbajti një konferencë në Prishtinë, ku për herë të parë deklaroi se ajo që kishte parë, ishte “një krim i rëndë kundër njerëzimit”
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vullin, e cilësoi të premten sërish si “trillim” masakrën e Reçakut.
Pas një vizite në një lokacion afër Nishit, ku po bëhen xhirime të një seriali për ngjarjet në fshatin Reçak, Vullin tha se “pretendimi për masakrën është një fyerje e madhe për mbarë njerëzimin”.
Masakra e Reçakut ka qenë një nga momentet vendimtare për nisjen e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe, më 24 mars, 1999.
“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë, e as të zgjuar për t’i treguar të gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte. Detyra e kësaj gjenerate është t’i tregojë të gjithë botës se na bombarduan dhe na bënë kriminelë falë gënjeshtrave, kurse gjaku i fëmijëve tanë është mbi ata që e shpikën këtë gënjeshtër”, u citua të ketë thënë Vullin, sipas Ministrisë së Brendshme serbe.
Sipas tij, serbët “nuk do të lejojnë më kurrë që të tjerët të shkruajnë për ta”.
“Nuk do të lejojmë më kurrë që të tjerët të shpikin të vërteta për ne, sepse e vërteta është në anën e popullit serb”, tha Vullin.
Duke e komentuar këtë deklaratë të ministrit të Brendshëm të Serbisë, Walker thotë se Serbia mundohet që, përmes deklaratave të tilla, të ndërtojë një narracion të rrejshëm për krimet që ka kryer gjatë luftës së viteve ‘98-99 në Kosovë.
“Mendoj se ndoshta Beogradi, të paktën Qeveria atje, beson se nëse e përsërisin vazhdimisht shprehjen ‘gënjeshtër e madhe’ në Reçak, ku unë isha dëshmitar dhe bota ishte dëshmitare, nuk është një gënjeshtër e madhe, por një e vërtetë e madhe”, thotë Walker.
Kjo nuk është hera e parë që Vullin e mohon masakrën e Reçakut. Autoritetet në Serbi, që udhëhiqen nga presidenti Aleksandar Vuçiq, këtë masakër e kanë cilësuar si “krim të fabrikuar”.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Radio Televizioni i Serbisë janë në një bashkëprodhim të një seriali me gjashtë episode, të quajtur “Dosja e Kosovës”, i cili, siç është paralajmëruar, trajton “kronologjinë e ngjarjeve dhe fatin e civilëve dhe policisë në Kosovë” nga viti 1998 deri më 2001.
Duke komentuar deklaratat e Vullinit, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka vend për mohimin e masakrës së Reçakut.
“Ajo që ndodhi në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar të vitit 1999, janë të dokumentuara mirë”, thotë Stano.
Sipas tij, modifikimi i ngjarjeve që ndodhën në Reçak të Komunës së Shtimes, është në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor.
“E ritheksojmë se nuk ka vend për të mohuar apo nënvlerësuar atë që ndodhi në Reçak”, thotë Stano.
Ai shton se BE-ja u bën thirrje autoriteteve në të gjithë rajonin që të punojnë për një vlerësim të sinqertë dhe të vërtetë të së kaluarës, pasi, sipas tij, rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të marrëdhënieve.
Kandiq: Strategjia e Serbisë për të prodhuar një “histori të re”
Ish-drejtoresha e Fondit joqeveritar për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiq, thotë se ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vullin, sërish jep një pasqyrë të pasaktë të Reçakut dhe asaj që është vërtetuar për atë krim.
Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se bëhet fjalë për strategjinë e Serbisë për të prodhuar një “histori të re”.
“Ajo, për të cilën flet ministri Vullin, është detyrë e tij politike dhe, përderisa është në Qeveri dhe përderisa e ka për detyrë të interpretojë atë që ka ndodhur në të kaluarën, ne nuk kemi rrugëdalje nga kjo klimë që ka çimentuar nacionalizmin ekstremist etnik”, thotë Kandiq.
Kandiq thekson se hulumtimet e Tribunalit të Hagës dhe organizatave ndërkombëtare, kanë konstatuar se këto pretendime nuk janë të vërteta
“Human Rights Watch ka biseduar me së paku 15 dëshmitarë dhe të gjeturat janë mjaft precize. Policia e dinte se në fshat kishte edhe civilë dhe aksioni u zbatua krejtësisht në mënyrë joselektive. Nuk është konstatim i saktë se civilët janë vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, por është shtënë edhe në shtëpitë ku ata ishin strehuar”, thekson Kandiq.
Sipas saj, Fondi për të Drejtën Humanitare ka biseduar me dëshmitarët dhe gjetjet e këtij fondi tregojnë për pasaktësinë e pretendimit se të gjitha viktimat në Reçak kanë qenë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Asnjë e dhënë, as nga Human Rights Watch dhe as nga Fondi për të Drejtën Humanitare, se aksioni në Reçak ishte planifikuar, nuk është vënë ndonjëherë në pikëpyetje”, thotë Kandiq.
Masakra e Reçakut ka qenë edhe pjesë e aktakuzës së ngritur nga Gjykata e Hagës kundër presidentit të atëhershëm të ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, dhe disa zyrtarëve të tjerë serbë.
Megjithatë, gjyqi është ndërprerë pas vdekjes së Millosheviqit dhe asnjë nga të akuzuarit e tjerë nuk janë dënuar për krimet e kryera në Reçak.