Sot janë mbushur 24 vjet që nga Konferenca e Rambujesë që u mbajtë në afërsi të Parisit të Francës.
Konferenca e Rambujesë i filloi punimet më 6 shkurt të vitit 1999. Kjo konferencë synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.
Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt, ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Christofer Hill nga SHBA-të, Boris Majosrsi ,Rusi dhe Volfgang Petric nga BE.
Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit, por delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.
Delegacioni i Kosovës, në atë kohë kryesohej nga Hashim Thaçi që ishte përfaqësues i UÇK-së, Ibrahim Rugova i LDK-së e Rexhep Qosja i LBD-së.
Delegacioni përbëhej prej katërmbëdhjetë vetash duke qenë të përfaqësuar nga tri grupime: Lidhja Demokratike e Kosovës me në krye Ibrahim Rugovën, ndjekur nga kryeministri Bujar Bukoshi që jetonte në mërgim dhe tre funksionarë të tjerë të LDK-së.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dërgoi pesë përfaqësues me në krye Hashim Thaçi dhe katër pjesëtarë të Lëvizjes së Bashkuar Demokratike.
Edhe rrethi i dytë i bisedime që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike- marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.
As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Holbrooke nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bind presidentin e atëhershëm të RSFJ, Sllobodan Millosheviq që të pranoi marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.
Më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.
Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-ës miratoi rezolutën 1244 me të cilën u vendos protektorati, prania ndërkombëtare në Kosovës, UNMIK-ut si mision civil dhe KFOR-it, mision ushtarak. Ndërkaq, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë