Për mbledhjen e shtabit na informon kryetarja e komunës së Preshevës përmes Facebook ku shkruan:
Lajmi i mirë 🙏: 0 viktima, 2 të hospitalizuar nga qindra raste pozitive!
Lajmi i keq: Po rriten infektimet, sidomos në mesin e nxënësve!
Ky është konkluzioni kryesor i bilancit zyrtar të muajit janar lidhur me situatën epidemiologjike me COVID-19 🦠 në komunën e Preshevës, të cilën e trajtuam sot në mbledhjen e shtabit komunal për situata të jashtëzakonshme.
Sipas raportimit, përkatësisht të dhënave zyrtare të Shtëpisë së Shëndetit 🏥 në Preshevë, gjatë muajit janar, nga 1163 qytetarë që janë testuar me testin antigjen, 302 kanë rezultuar pozitiv. Kurse nga 50 qytetarë të testuar me PCR, 19 kanë rezultuar pozitiv.
Shumica e rasteve pozitive janë infektuar gjatë javës së fundit.
🙏 Fatmirësisht nuk kemi viktima dhe nga qindra raste të të infektuarëve aktualisht, 2 janë detyruar të hospitalizohen.
Por brengosës është fakti se tashmë janë infektuar edhe jo pak nxënës. Gjithsej 70 në të gjitha institucionet arsimore të Komunës së Preshevës, prej të cilëve 35 vetëm në shkollën fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi” në Preshevë.
Shtabi Komunal kërkoi nga drejtoritë e Entit Parashkollor “8 Marsi” dhe të shkollave fillore e të mesme, t’i zbatojnë masat mbrojtëse, t’i evidentojnë paraqitjet e infektimeve, si dhe ta sigurojnë mësimin online për nxënësit e infektuar.