“Problemi i Serbisë është që nuk po arrin ta ndërtojë Serbinë moderne mbi vlera të vendeve më demokratike. Serbia është peng i vetë Serbisë…. Pushteti i Vuçiqit është etnonacionalist, politikisht hegjemonist dhe autokratik, kulturalisht konservator, historikisht negacionist dhe ekonomikisht neoliberal. Ky kombinim është vetëvrasës për vetë Serbinë dhe serbët. Për t’u ngjitur në maje të pushtetit, Vuçiqi e ka vrarë babën e tij politik Vojisllav Sheshelin duke e ndërruar jaknën brenda natës dhe duke u paraqitur si politikan i qendrës së së djathtë ‘pro-evropiane’. Koha po dëshmon se për pushtetin e tij, Vuçiqi po vret të ardhmen e Serbisë”. Sipër, pjesë nga intervista ime e fundit për të përditshmen beogradase “Danas”, ku flas: ..për fëmijërinë time në kushte të vështira ekonomike, edukimin e prindërve me idenë e lirisë, shkollimin dhe studimet në periudhën e rezistencës, frymëzimet e mia teorike me rrymat progresiste kombëtare, rajonale dhe botërore; përvojën e diferencimit në punësim; angazhimin tim në fushën e të drejtave të njeriut dhe të politikës, përjetimet dhe pjesëmarrjen personale në proceset e kohës së luftës në Luginën e Preshevës, Serbinë pasmillosheviqiane dhe demokracinë që nuk erdhi, ndjesinë time për punën time si kryetar Komune dhe deputet, gjendjen e sotme të medias në Serbi dhe pushtetin autoritar të Vuçiqit, mbështetjen e pamjaftueshme të Kosovës dhe Shqipërisë, mohimin e krimeve dhe revizionizmin e pushtetit serb, paqen e qëndrueshme në rajon pa hegjemoninë e Beogradit, rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për dalje nga periferia etj…