Referendumi për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë, si akti më i lartë ligjor, që po insistohet të mbahet në Kosovë posaçërisht për minoritetin serb është një akt joligjor dhe kundër çdo konvente ndërkombëtare Kam kritikuar publikisht politikën e Kosovës për një kohë të gjatë; politikë e cila nuk dallon nga ajo e shtetit Amë, meqë mungon një strategji e mirëfilltë e përbashkët kombëtare (pjesë e së cilës duhej të ishin edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës) ndaj Serbisë.
Një strategji e tillë në mënyrë transparente do të qartësoj bashkëpunimin me ndërkombëtarët. Sepse aq më shumë që Republika e Kosovës bënë kompromise kundrejt Serbisë, aq më larg e më vështirë bëhet rruga drejt integrimit të saj në BE, me rritjen e kushteve të paarsyeshme të procesit integrues në këtë entitet.
Si rezultat i tillë, tani kërkohet nga qeveria e Republikës të mundësoj mbajtjen e referendumit për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë në Kosovë.
Një rast i paprecedentë në rruzullin tokësorë. Paramendoni ndërkombëtarët të kërkojnë nga Serbia që zgjedhjet parlamentare të Republikës së Kosovës të mbahen edhe në Preshevë?
Që nga mbarimi i luftës, Serbia ka qenë në gjendje të ngrisë çështjen e të drejtave të serbëve të mbetur në Kosovë; me ndikim sa të qëndrueshëm ashtu dhe të vazhdueshëm, në një nivel ku Kosova në relacion me shqiptarët e Luginës së Preshevës ende nuk ka ndërtuar themelet e bashkëpunimeve të ndërsjellta si levë ndaj hegjemonisë serbe në Veriun e Kosovës.
Më keq akoma, Kosova, ndryshe nga Serbia, e ka humbur edhe mundësinë për të pasur një faktor të unifikuar shqiptar në Luginën e Preshevës. Ky faktor, do të kishte kontribuar sot të kundërshtoj ashpër jo vetëm qasjen e Serbisë ndaj Kosovës, por edhe qëndrimin hipokrit të BE-së.
Albin, ka ardhur momenti që të bashkohemi më fort dhe të bashkërendojmë e sinkronizojmë përpjekjet tona përballë Serbisë, e cila nuk ndalet dot së nënvlerësuari në përgjithësi shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe në veçanti kornizat e integritetit të Republikës së Kosovës!
Kurse për Edin kam vetëm një pyetje: Për sa kohë që po shpenzoni të gjitha energjitë tuaja për të promovuar Ballkanin e Hapur si një mundësi zhvillimore rajonale, a do të dëgjojmë politika që favorizojnë interesat e shqiptarëve të mbetur në Luginë? What the f… is going on?