Kushtrim Kadriu, kryetar i lëvizjes Vatra që merret me problematikën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, e ka quajtur hap pozitiv finalizimin e një koncept-dokumenti, i cili sugjeron ndryshime në Ligjin mbi shtetësinë, me qëllimin që qytetarët e Luginës ta kenë më të lehtë marrjen e shtetësisë.Kadriu në një intervistë në Interaktiv të KTV-së tha se qytetarët në Luginë të Preshevës, nga disa pjesë në veçanti, janë të vetmit në botë që s’kanë shtetësi.“Kjo problematikë është tash e 22 vjet. Banorët e Malësisë së Bujanovcit janë dëbuar më 1999, por edhe nga Medvegja dhe Karadaku i Preshevës”, ka thënë ai. “Kanë qytetarë pa shtetësi. Pastaj regjimi serb nga viti 2012 ka vendosur politikën e spastrimit etnik, duke ua marrë pasaportën dhe duke ua pasivizuar adresat”.Kadriu e vlerëson nismën e Qeverisë Kurti për të hartuar ligj për shqiptarët e Luginës, por ka shprehur dyshimet e tij, se që në nismë po gabohet.Ai tha se askush nga Lugina nuk është ftuar të jetë në komisionin për hartimin e akteve nënligjore.“Do të duhej të ishte dikush, sidomos nga Vatra, pasi informatat që mund të ofrojmë ne nuk i ka askush”, tha ai.Sipas tij, banorët e Luginës që jetojnë në Kosovë nuk gëzojnë shumëçka elementare.“Ka prekur të gjitha sferat, njerëzit kanë zhvilluar jetën, punën, por në fund nuk kanë mundur të gëzojnë as pensionin. Shumë njerëz nuk mund të marrin as shërbime mjekësore, nuk mundë të shkollohen në sistemin universitar, e ka raste as të mos mund të lidhin kurora të martesës. Nga viti 1999, prej kur ekziston lëvizja Vatra, çdo qeverie ia kemi adresuar kërkesat se si duhet me u ndryshu ligji, kemi bërë kërkesa, peticione e protesta, por s’kemi marrë kur një ofertë serioze”, ka thënë Kadriu.